ILUZION
Në labirintet e shpirtit tim
fytyra e globit magjik
humbi rrugën.
Me gjakun e venave të mia
spërkati maskën e hekurt,
në çdo skutë të shpirtit tim
fshehu dhimbjet
dhe si një foshnje e pafajshme
doli prej andej
iluzioni i përjetësisë.
Skalitur në mendjet e njerëzve
ishte ajo botë hyjnore e ëmbël,
vërtetësia e saj e shtangur
nga larg na shihte vëngër...
DERI KUR
Qendroj e ngrirë si statujë
Përpara udhëkryqit e hutuar,
Nuk di nga të shkoj
Ç'drejtim të mbaj
Majtas djathtas
Të eci përpara a prapa.
Ç'të bëj
Ku të shkoj
Kë të pres
Përse hutohem.
Deri kur do të zgjasë kjo dhimbje
Ky ankth.
O Zot më merr, veç hijen më lër.
|