Kufijtë e Mirditës dhe bandat e diversantëve
Aleksander Ndoja
Nëse do të vizitosh shumë nga ekstremet e disa rretheve që kufizohen me Mirditën, do të konstatosh lehtësisht veshjen karakteristike të grave mirditore, por edhe dialektin, besimin fetar e shumë prej dokeve e zakoneve të tjera të vetë Mirditës gjeografike. Një konstatues i pavëmendshëm mund të mendojë se një ndikim i tillë i mirditasve në rrethe të tjera mund të ketë ardhur prej afërsisë e bashkëpunimit të Mirditës me zona kufitare rreth saj. Por në të vërtetë nuk është kështu.
Nëse do të shfletosh pak nga arkivat apo edhe shënime të kronikanëve të kohës, mund të konstatosh se deri në vitin 1945 Mirdita ka qenë në një territor shumë më të gjerë nga sa është sot. Në cilëndo prej arkivave me dokumente të kohës, vëren se Vigu që sot është i Shkodrës ka qenë tokë e mirditasve dhe banorët e saj po të tillë. Gjithashtu, krahina të tëra si Uraka, Bazi, Shkopeti etj., që aktualisht gjenden nën juridiksionin e Matit, janë me mirditas dhe trevë safi mirditore.
Pa pjesë nuk ka mbetur edhe Lezha, e cila jo vetëm ka “pushtuar” malet me gështenja masive të Molungut deri në afërsi të Rrasfikut, por ushtron prej 50 vitesh sovranitetin e saj të padrejtë në shumë komuna, të cilat përbëhen nga Kalori, Ungrej etj. Po ashtu, edhe Puka vijon të mbajë pjesë mirditase si Gjegjani, Gojani, Rrasi, deri në afërsi të Fushë-Arrësit.
Një çudi më vete përbën krahina e Fanit, e cila përbën një pjesë të konsiderueshme të Mirditës. Si shumë zona të tjera, edhe kjo kaloi nën juridiksionin e Kukësit. Për rreth dy dekada me radhë, kjo zonë u qeveris nga Kukësi, por nuk dihet se për çfarë arsyeje kjo ju bashkëngjit sërish Mirditës. Për një fakt të tillë, ndonëse dihet nga të gjithë, pak kush apo askush nuk ka guxuar të flasë hapur, edhe pas vitit ‘91 kur mori fund diktatura, e cila prodhoi një situatë të tillë për Mirditën.
Në fillim të viteve ‘90 sikur u fol për këtë çështje, por më së shumti për konsum politik, ndërsa nuk u mor asnjë masë administrative për të rregulluar këtë padrejtësi, e cila ndonëse në miniaturë i ngjan faktit, sipas të cilit vetë kombit shqiptar ju rezervua një fat i tillë, duke i ndarë pjesë të rëndësishme të saj në pesë shtete të tjera që e qarkojnë atë.
Përse ndodhi një veprim i tillë?
Tashmë thuhet me zë të madh, ndonëse gjithnjë është nënkuptuar, se një veprim i tillë ka ndodhur për një fakt, i cili ka të bëjë më së shumti me mos nënshtrimin e Mirditës ndaj regjimit komunist. Dihet se me gjithë terrorin e pa parë në këtë zonë, Mirdita filloi të administrohej nga shteti komunist rreth 10 vite pas çlirimit.
Megjithatë, të ashtuquajturat banda diversantësh vijonin që të rezistonin edhe shumë vite më pas. Drejtuesit e kohës e kishin të qartë faktin se kjo trevë, si asnjë tjetër në vend, dhe për 500 vite të pushtimit turk, mundi të rezistonte duke krijuar një oaz të paprekshëm të krishterimit. Pikërisht për këtë u vendos që Mirdita të copëtohej në disa rrethe të tjera, duke mbetur deri më tani sa gjysma e asaj që është në të vërtetë.
Rezistenca popullore ra madje ndjeshëm, aq sa reflektohet edhe tani. Edhe pse në dukje pa asnjë qëllim të keq, si dikur në kohën e komunizmit dikush ka guxuar që të përvetësojë sërish nga territori i Mirditës deri në rreth dy km thellësi. Ndryshimi i vetëm me dikur, është se tashmë nuk ka asnjë vendim, qoftë edhe formal për një veprim të tillë. E ngjashme me atë kohë është pranimi në heshtje i këtij fakti.
Në radhë të parë, çudia vjen për faktin se si organet e pushtetit vendor e kanë lejuar një situatë të tillë. Ç’bën pushteti vendor i Rubikut, i cili e ka në pronësi të vet atë zonë. Si është e mundur që ka pranuar në heshtje që një pjesë e luginës më të bukur në Veri të kthehet në magazinë gjigante e mbetjeve urbane të qytetit të Lezhës.
Aq i rëndomtë është ky veprim, sa që thuhet se një firmë private e pastrimit të Lezhës ka paguar nën dorë punonjësit e vendosjes së sinjalistikës përgjatë këtij segmenti të rëndësishëm të rrugës që lidh dy kryeqytetet e ndara dhunshëm, afërsisht me të njëjtën metodë dhe qëllim që u nda Mirdita 50 vite më parë, për të lëvizur tabelën kufitare mes dy zonave për të siguruar një vend për hedhjen e mbeturinave.
|